Rregullat e komunitetit
Si funksionojnë vlerësimet në Profi
Një vlerësim në Profi mat atë që more kundrejt asaj që pagove — jo kundrejt një biznesi tjetër me çmim tjetër. E shkruan anonim ose me emër; publikohet pasi e sheh një moderator; biznesi mund ta kundërshtojë, dhe për kundërshtimin vendos përsëri një moderator. Asnjë biznes nuk mund të paguajë që një vlerësim të fshihet.
Pse vlerësimi matet me çmimin?
Sepse i njëjti shërbim është i drejtë me 500 lekë dhe i padrejtë me 5.000. Pa çmimin, një yll nuk thotë asgjë: një kafe lagjeje dhe një hotel me pesë yje nuk konkurrojnë për të njëjtin klient dhe nuk duhet të maten me të njëjtën pritshmëri. Drejtësia kërkon që nota të jetë në raport me çmimin.
Vlerësim i padrejtë
- Pret luks me çmim ekonomik
- E krahason me një biznes në nivel tjetër çmimi
- Dëmton pa të drejtë një biznes të vogël
Vlerësim i drejtë
- Gjykon sipas çmimit që pagoi
- Përshkruan pritshmëri realiste
- I ndihmon të tjerët të kuptojnë vlerën
Formula e vlerësimit të drejtë
- 1
Shkruaj çmimin që pagove
Në tekstin e vlerësimit, jo vetëm në kokë. Kjo vendos nivelin e pritshmërisë për këdo që e lexon.
- 2
Përshkruaj çfarë more
Shërbimin ose produktin, ashtu siç ishte. Objektiv, me detaje që një klient tjetër mund t'i verifikojë.
- 3
Vlerëso nëse çmimi u përputh me atë që more
Kjo është pyetja e vërtetë. Pesë yje do të thotë: për këto para, nuk kisha çfarë të kërkoja më shumë.
Formulari të pyet edhe për kriteret e kategorisë (p.sh. pastërtia, stafi) dhe për shërbimet që përdore — përgjigju vetëm atyre që i ke provuar.
Anonim apo me emër?
Zgjedhja është e jotja, për çdo vlerësim veçmas. Në të dy rastet Profi nuk ia jep identitetin tënd askujt jashtë platformës.
Anonim
- Emri dhe fotoja jote nuk shfaqen publikisht
- Biznesi nuk e sheh kush je
- Për kur ke frikë nga hakmarrja
Me emër
- Emri yt shfaqet pranë vlerësimit
- Më shumë peshë dhe besueshmëri
- Për kur do ta mbështesësh një biznes që e meriton
Çfarë ndodh pasi e dërgon?
- Vlerësimi i një biznesi publikohet pasi e sheh një moderator. Deri atëherë e sheh vetëm ti, te vlerësimet e tua në profil. Çdo ndryshim që i bën e kthen përsëri në radhë.
- Përmbajtja e paligjshme dhe fjalët nga lista e ndaluar refuzohen para se të ruhen — të thuhet aty për aty pse.
- Teksti në kufi shënohet automatikisht për një moderator, i cili mund ta tërheqë më vonë.
- Biznesi mund ta kundërshtojë vlerësimin me arsye. Vlerësimi mbetet i dukshëm derisa moderatori të vendosë.
- Vlerësimin tënd mund ta ndryshosh ose ta fshish vetë, kurdo, nga profili yt.
Si ndikon në renditje: metodologjia e renditjes është e publikuar e plotë →
Çfarë presim nga komuniteti
Secila palë ka përgjegjësi. Një treg i drejtë ndërtohet kur bizneset dhe klientët janë të ndershëm njësoj.
Nga klientët
- Ndershmëri. Vetëm përvoja jote, ashtu siç ndodhi.
- Gjykim i drejtë. Sipas çmimit dhe premtimit, jo sipas fantazisë.
- Kritikë e dobishme. Edhe kritika duhet të ndihmojë, jo të shkatërrojë.
- Shans për korrigjim. Thuaja biznesit problemin para se ta publikosh.
Nga bizneset
- Mbaj fjalën. Jep saktësisht atë që premton.
- Dëgjo kritikën. Një vlerësim i keq është informacion, jo sulm.
- Kundërshto me arsye. Nëse një vlerësim është i rremë, kundërshtoje nga paneli — moderatori vendos.
- Përmirësohu. Përdore reagimin për ndryshime të vërteta.
Çfarë nuk lejohet
- Vlerësime të blera. Asnjë biznes nuk mund të paguajë për të fshirë kritika ose për vlerësime të rreme.
- Hakmarrje personale. Vlerësimet nuk janë armë për konflikte personale ose konkurrencë të padrejtë.
- Pritshmëri joreale. Të presësh shërbim pesë yjesh me çmim një ylli është e padrejtë.
- Kërcënime dhe presion. Bizneset nuk mund të kërcënojnë ose të bëjnë presion mbi klientët për vlerësimet.
- Gënjeshtra dhe shpifje. Vlerësimet bazohen në fakte, jo në trillime.
Premtimi i Profi
- Çdo vlerësim i publikuar është publik dhe i lexueshëm nga të gjithë.
- Të dy palët kanë të drejtë: klienti të shkruajë, biznesi të kundërshtojë. Vendos një moderator, jo pala më e fortë.
- Renditja nuk blihet. Formula është e publikuar dhe e njëjtë për të gjithë.
- Identitetin e një vlerësuesi anonim nuk ia japim as biznesit, as palëve të treta.